Lumezi: Para një viti nisën hetimet për arrestimin e 8 zyrtarëve policorë

Tetë zyrtarë policorë të Kosovës, dy nga ta femra dhe një i komuniteti serb janë arrestuar në mëngjesin e së premtes e që po ngarkohen me veprat penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të KPRK-së, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike” neni 195 ”, “Ushtrimi i ndikimit” neni 424, si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substance narkotike”.

Gjatë bastisjes në tri lokacione në Prishtinë, në lagjen “Taslixhe”, “Bardhosh” dhe “Stacionin e Policisë së Jugut”, janë konfiskuar nëntë telefon celularë, një veturë dhe dokumente të cilat do të shërbejnë për hetimin e mëtejmë të rastit.

Kështu u bë e ditur në konferencën e përbashkët për medie të Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policorë.

Lumezi tregoi se lidhur me këtë rast hetimet kanë filluar një vit më parë e për çka thekson se gjithë pjesëtarët e krimeve kriminale herët apo vonë do të përballen me drejtësinë dhe se fajtorët nuk do t’iu shmangën përgjegjësisë penale pavarësisht nga cilin institucion vjen.

Në konferencë pati edhe pyetje lidhur me arrestimet për subvencionet në Ministrinë e Bujqësisë, për çka u tha se duhet kohë për hetime deri në marrjen e veprimeve.

Lumezi para gazetarëve tregoi se si erdhi deri të arrestimi i tetë zyrtarëve policorë.

“Edhe një herë kemi vërtetuar se puna e përbashkët e prokurorit të shteti, policisë dhe inspektoratit kanë dërguar porosi të qarta tek të gjithë pjesëtarët e krimeve kriminale se herët a vonë do të përballen me drejtësi, në anën tjetër nuk do të lejojmë asnjë fajtor t’i shmanget përgjegjësisë penale pikërisht nga cili institucion vjen. Mirëpo në anën tjetër do të bëjmë përpjekje për t’i siguruar të gjithë qytetarët nga ndjekja dhe hetimet e paligjshme. Ky rast është duke u hetuar gati një vit respektivisht ka kaluar një vit në bashkëpunim edhe me inspektoratin policorë dhe Policinë e Kosovës i kemi zbatuar masat e fshehtat të hetimit dhe vëzhgimit dhe në bazë të informacione që kemi marrë nga përgjimet kemi ardhur në përfundim që duhet të zgjerohen hetimet edhe për disa persona me qëllim që të vërtetohet përgjegjësia e tyre penale për veprime të cilat i kanë ndërmarrë në mënyrë të kundërligjshme”, tha Lumezi.

Dokumentet dhe raportet, por edhe telefonët që u konfiskuan gjatë bastisjes do të shërbejnë për hetimet e mëtejmë

“Zyrtarë gjatë këtyre bastisjeve kanë konfiskuar 9 telefona mobil, një veturë dhe disa dokumente dhe raporte zyrtare të cilat do të na shërbejnë në procedurat e nevojshëm penale”, tregoi Lumezi.

Individë të arrestuar brenda Policisë së Kosovës, nuk përfaqësojnë këtë institucion, kështu tha drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Ndër tjera ai theksoi se aksioni i sotëm është tregues se tri institucionet janë të përkushtuar që të luftojnë çdo dukuri negative qoftë brenda Policisë apo ndonjë institucioni tjetër.

“Ky operacion i përbashkët që është bërë mes prokurorisë, inspektorati policorë dhe policisë së Kosovës ka dhënë rezultat me arrestimin e këtyre individëve të cilët janë individë brenda policisë por nuk nënkupton që këta individë përfaqësojnë organizatën, përkundrazi, Policia e Kosovës mbetët e përkushtuar dhe mbetët në detyrë që të zbatojë ligjin dhe çdo pjesëtarë i Policisë së Kosovës i cili do të ndeshet me ligjin dhe rregullat e brendshme natyrisht që do të procedohet[…]Policia e Kosovës është e përkushtuar edhe nëse disa individë e shkelin ligjin, nuk nënkupton kjo që e gjithë policia është siç kam lexuar “krimi në polici”, mendoj që nëse dikush është i inkriminuar atëherë ai quhet kriminel e jo organizata.”, theksoi Mehmeti.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka treguar lidhur me bastisjen në tri lokacionet e Prishtinës ku edhe u arrestuan zyrtarët policorë.

“Si rezultat i hetimit sot në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë është realizuar operacioni i koduar me emrin ‘Jugu’ me ç’rast janë arrestuar tetë zyrtarë policorë me dyshimin për veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrim ndikimi” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe shpërndarje të narkotikëve. Me urdhër të Gjykatës Themelorë të Prishtinës, hetuesit e IPK-së kanë realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në Prishtinë, në lagjen ‘Taslixhe’, në ‘Bardhosh’ në zyrën e stacionit policor Jugu”, tregoi Hodaj.

Ndërkohë ai është pyetur se zyrtarët policorë a janë përdorues të substancave narkotike, për çka ai tha se hetimet në vazhdim do të tregojnë nëse janë përdorues apo jo.

“Ka dyshime që disa zyrtarë kanë pas posedim dhe ndoshta janë edhe përdorues të substancave narkotike dhe hetimi i mëtutjeshëm mund të tregojnë nëse ata janë pjesëmarrës në shitje apo blerje. Por janë veprime që do të ndërmerren në ditët në vazhdim dhe do të shpalosim detaje”, potencoi ai.

Lumezi tregon se pse u dashtë më shumë se një vit për të kryer aksionet policore përfshirë edhe rastin e “Subvencioneve” në Ministrinë e Bujqësisë.

“Edhe për këtë rast por edhe për rastin e ministrisë së Bujqësisë hetimet kanë filluar shumë më herët dhe në bashkërenditje në rastin e parë me Policinë e Kosovës i kemi ndërmarr veprimet e privimit nga liria në momentin kur kemi siguruar provat e mjaftueshme për t’i arrestuar ata persona. Përsa i përket rastit të sotëm këtu kemi filluar nëpërmjet të përgjimeve, kemi qenë duke përgjuar disa persona të dyshuar për vepra penale ku nuk kanë qenë zyrtarët policorë dhe gjatë atij përgjimit kemi marrë informacione se edhe dikush nga zyrtarët policorë është involvuar në kryerjen e veprave penale dhe madje kjo na ka detyruar që të nxjerrim aktvendimin për zgjerimin e hetimeve dhe në bashkëpunim edhe me Inspektoratin Policor kemi ardhur në këtë rezultatet që ua prezantojmë sot”, tha Lumezi.

Edhe Mehmeti nga Policia e Kosovës tha se hetimet mund të zgjasin për shkak se mund të jenë komplekse dhe duan kohë. Madje ai tha se do të vazhdohet edhe më tej me aksione të ngjashme.

“Mendoj që me rëndësi është përkushtimi ynë që me luftu krimin edhe brenda organizatës dhe në gjitha nivelet që paraqiten dhe me rëndësi që ne jemi të gatshëm dhe kemi përkushtimin dhe vullnetin që çfarëdo dukurie që paraqitet qoftë në organizatë apo jashtë saj ne ta trajtojmë në mënyrë të përfilltë dhe mënyrë ligjore. Ajo se sa merr kohë një hetim varet nga puna opercaionale, nga veprimet konkrete dhe shumë faktor tjerë[…]ne do të vazhdojmë me operacione të tilla qoftë brenda apo jashtë Policisë së Kosovës.