Lushtaku: Garda ceremoniale mungoi sepse Rugova ishte kundër UÇK-së dhe Adem Jasharit (VIDEO)

0
175

Ish-komandanti i gardës ceremoniale të TMK-së, Nuredin Lushtaku, ka folur për refuzimin që garda ceremoniale të marrë pjesë në varrimin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Lushtaku tha se për refuzimin e kësaj, vendimin e kishte marrë vetë ai, ku tha se arsyeja e kësaj janë veprat e Rugovës dhe deklaratat e tij para, gjatë dhe pas luftës.

Ai tha se njëra ndër arsyet se pse kishte refuzuar që në varrimin e Rugovës të marrë pjesë garda ceremoniale janë, sipas tij, deklaratat që Rugova i ka bërë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosvoës dhe për komandantin Adem Jashari e shokët e tij.

“Prej neve është kërkuar që të marrim si gardë e Kosovës në  ceremoninë e varrimit. Agim Çeku, ka kërkuar në atë kohë, kemi diskutuar ku ai ka kërkuar ta bëjmë ceremoninë, dhe arsyeja e imja që i kam thënë jo ka qenë duke u bazuar në deklaratat e Rugovës të paraluftës ku UÇK-në dhe komandantin Adem Jasharin me shokët e tij paraluftës i ka quajtur dorë e zgjatur e Serbisë, i ka quajtur punëtorë të shërbimeve sekrete serbe, në kohën kur Adem Jashari me grupin e tij janë dënuar, Rugova ka thënë se ata mund të jenë njerëz të UDB-së së Serbisë”, është shprehur Lushtaku në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Më tej, ai tha se për pjesëmarrjen e gardës ia kishte kërkuar edhe komandanti i TMK-së, Agim Çeku, por edhe kërkesën e tij e kishte refuzuar.

“Ka pasur diskutime me KFOR-in ku kanë diskutuar të marrin masa, por nuk kanë marrë masa për mua në atë kohë. Agim Çeku s’ka bërë kërkesë me shkrim, por gojarisht ka kërkuar që garda të marrë pjesë, ndërsa unë i kam thënë që garda s’merr pjesë”.

“Pjesëtarët e TMK-së s’kanë qenë të gardës që trupin e Rugovës e kanë çuar në varreza. Agim Çeku ka bërë zgjidhje me tjerë ushtarë, garda s’ka marrë pjesë”, është shprehur Lushtaku, njofton Klankosova.tv.

Lushtaku, tha se Rugova s’e ka përkrahur luftën e UÇK-së, dhe sipas tij, UÇK-në Rugova e kishte përmendur vetëm në Hagë përballë Millosheviqit.

“Asnjëherë s’e ka përkrahur luftën, ndërsa gjatë luftës e dinë të gjithë që takimet e tij që kanë ndodhur edhe me Millosheviqin, kërkesa e tij për t’i ndalë bombardimet e NATO-s, s’e ka njohur asnjëherë UÇK-në, s’e ka njohur asnjëherë asnjë dëshmor të UÇK-së”.

“E vetmja deklaratë ka qenë kur ka shkuar në Hagë me Millosheviqin, kur përpara e ka qitë Millosheviqi dhe i ka thënë se ti më ke kërkuar që të vijë të shpëtojë nga terroristët në Prishtinë dhe unë kam ardhur të të marr, atëherë Rugova e ka përmendur UÇK-në. Këto kanë qenë arsyet që s’kam mundur as të bindem vetë, e as s’kam dashur t’i urdhëroj ushtarët e gardës që të marrin pjesë”, është shprehur Lushtaku, njofton Klankosova.tv.