Lutfi Haziri pas tragjedisë: 7 Marsi, ditë e larë me gjak

0
294

Një person ka humbur jetën dhe së paku 16 të tjerë janë lënduar në aksidentin tragjik që ka ndodhur sot në Gjilan kur një kamion ka humbur kontrollin dhe ka goditur disa vetura.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka treguar se si e ka marrë lajmin për këtë aksident të rëndë.

“Nga organet e shtetit, jam njoftuar rreth orës 12:00 për një aksident që po ndodh në Gjilan. Edhe Policia përmes telefonit është njoftuar me rastin e parë kur vozitësi i kamionit ka aksidentuar dy qytetarë”.

“Ky kamion ka goditur vetura, pemë dhe ka përfunduar në terasën e hotelit të qytetit”.

Haziri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se rreth orës 14:00 ka aktivizuar të gjitha masat emergjente.

Ai ka thënë se të gjitha organet përgjegjëse kanë reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme në këtë ngjarje.

“Janë aktivizuar organet e Policisë, departamenti i Emergjencave dhe Shërbimeve Civile, Prokuroria dhe të tjerat organe që reagojnë në fatkeqësitë e pritura”.

“Gjendja ka qenë horror por reagimi qytetar ishte jashtëzakonisht i madh për të shpëtuar njerëzit. Policia civile ka ndërhyrë shumë shpejt në nxjerrjen e njerëzve të lënduar”.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me mënyrën qysh kanë reaguar institucionet. Kryeministri Ramush Haradinaj ka kontaktuar në ndërkohë për të ofruar mbështetjen e organeve më të larta të shtetit”.

Por ky rast mund të përfundonte edhe në mënyrë shumë më tragjike nëse do të ndodhte vetëm pak minuta më vonë.

“Vetëm 5 minuta më vonë ka përfunduar mësimi, nëse do të ndodhte vetëm pesë minuta më vonë, minimumi do të ishin 500 fëmijë që do të dilnin në rrugë”.

Kryetari i Gjilanit ka thënë se shkaqet se si ka ndodhur ky aksident do të vlerësohet nga organet përkatëse.

“Do të vlerësohet nga Prokuroria. Problemi ka qenë frenimi dhe kështu ka ardhur me shpejtësi të zhvilluar deri në qendër të qytetit pasi edhe pozita gjeografike është e pjerrët”.

Haziri ka rrëfyer se viktima e këtij aksidenti, Qerim Çoçaj, është goditur pranë shtëpisë së tij.

“Tragjedi më të madhe se të humbë një jetë nuk ka. Viktima [Qerim Çoçaj] ka qenë pranë shtëpisë duke u futur në shtëpinë e tij. Çoçaj ka qenë i njohur, ka menaxhuar disa lokale dhe furra në Gjilan”.

“Ka qenë duke hyrë në shtëpi. Qytetarët e tjerë janë lënduar në vetura që janë ngujuar dhe traktoristi ka rastisë të jetë në qendër ndonëse automjetet bujqësore nuk lejohen në qendër të Gjilanit dhe është njëri prej të lënduarve jashtëzakonisht shumë”.

Por a kanë ndodhur aksidente të tilla tragjike në qytetin e Gjilanit, së fundmi?

“Në Gjilan, pesë vitet e fundit kemi numrin më të vogël të aksidenteve dhe humbjeve të jetës”.

“Ne kemi humbur tre qytetarë të Poneshit të Gjilanit që ka ndodhur në Mramor. Kemi pasë aksidente në rrugë regjionale por në rrugët e qytetit, aksidentet kanë qenë në pikën më të ulët”.

Lutfi Haziri ka thënë se kjo ditë është e larë me gjak.

“7 marsi është ditë e larë me gjak. Jemi me familjen Çoçaj dhe me të lënduarit, shpresojmë se do ta përballojmë në mënyrën më të mirë këtë ngjarje”.