Mali i Zi nis rrënimin e staneve të kosovarëve në kufi, ky është reagimi i banorëve (video)

Ramiz Gërvalla, për çdo vit, verën e kalon këtu në Bjeshkën e Ishtedimit. Ai dhe banorë të tjerë numërojnë dekada prej kur familjarët e tyre kishin ndërtuar stane në këtë bjeshkë, e cila gjendet në zonën kufitare me Malin e Zi.

Gervalla, këtë javë, e ka parë të rrënuar stanin e tij, gjë që e ka dëshpëruar shumë, raporton KTV.

Banorët kanë thënë se asnjëherë nuk kishin pasur probleme nga shteti malazez, andaj kishin vazhduar me ndërtime të reja.

Përveç Ramizit, autoritetet malazeze ka ditë që kanë rrënuar edhe stanet e banorëve të tjerë këtu në zonën kufitare me Malin e Zi.

Ndonëse nuk posedojnë dokumente pronësore, dëshmia që tokën e shfrytëzuan gjithnjë shqiptarët, thonë se janë varrezat që ndodhen këtu.

Të mërkurën, këtu ka qëndruar edhe kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi. Sipas tij, nuk duhet shkaktuar panik.

Stanet e kosovarëve në Bjeshkën e Ishtedimit në Malin e Zi, kanë filluar të rrënohen këtë të hënë, me arsyetimin se nuk kanë leje ndërtimi. Aty, shteti malazez planifikon të ndërtojë një qendër skijimi.