Maqedoni: 35 000 amendamente për bllokimin e gjuhës shqipe

Partia më e madhe opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE bllokon votimin për ligjin e gjuhëve në parlament.

Deputetët e kësaj partie paraqitën mbi 35 mijë amendamente për ligjin që njihet ndryshe si ligji për gjuhën shqipe, duke e bërë të pamundur votimin e tij për këtë të hënë.

Mediat në Maqedoni shkruajnë se amendamentet duhen përkthyer dhe shqyrtuar nëpër seanca, një proces që mund të kërkojë minimalisht 3 muaj kohë.

Seanca e sotme u shoqërua nga momente tensioni, ndërmjet deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi, shkruan klan.

Forca e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski pretendon se ligji për gjuhët është sjellë si i mbështetur nga Bashkimi Europian, për të anashkaluar diskutimin.

Ligji për gjuhën e shndërron shqipen në gjuhë të dytë zyrtare në Maqedoni. Sipas kushtetutës në vendin fqinj, ky ligj duhet t’i nënshtrohet një tjetër votimi në parlament. Ligji për shqipen u miratua nga parlamenti më 11 janar, por presidenti Gjorge Ivanov refuzoi ta dekretojë atë. Presidenti e ktheu ligjin, pasi sipas tij, cenon sovranitetin e shtetit të Maqedonisë.