Maqedoni: Arrin në 30 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Lehona 27 vjeçare nga Kumanova është viktima më re nga Covid-19 në Maqedoni.

Më 30 mars e njëjta ka pasur lindje të parakohshme në repartin e gjinekologjisë, ndërsa një ditë më pas është shtruar në Klinikën Infektive. Foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë edhe 3 viktima të tjera dhe 18 të infektuar janë regjistruar 24 orët e fundit. Me këtë numri i përgjithshëm i të infektuarve shkon në 617 ndërsa numri i viktimave në 30.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi se rezultatet e 24 orëve të fundit janë bazuar në 351 teste të bëra.

Numri më i madh i të infektuarve vazhdon të jetë në Shkup, ndërsa në Kumanovë regjistrohet numri më i madh i viktimave.

Sot filloi zbatimi i orës policore në nivel shtetëror në Maqedoni, nga ora 16:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Gjatë 24 orëve të fundit 67 qytetarë janë futur në izolim, ndërsa 84 në vetëizolim. 345 qytetarë janë futur në karantinë, ndërsa nga karantina kanë dalë rreth 260 të tjerë. Orën policore e kanë shkelur 35 persona.