Marcelo e pranon: Po, e preka topin me dorë, ishte penallti

Pasi e ndihmoi Real Madridin të kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve, Marcelo e ka pranuar se mbase ka qenë me fat që prekja e topit me dorë nga ana e tij kaloi pa u ndëshkuar gjatë takimit të mbrëmshëm gjysmëfinale kundër Bayern Munichut.

Lojtarët e klubit gjerman kërkuan penallti në përfundim të pjesës së parë, por gjyqtari turk s’deshi të dëgjonte.

Derisa Joshua Kimmich tentoi ta harkoi topin në zonën kundërshtare, Marcelo e mbylli atë dhe u duk se e preku topin me dorë në tentim për ta bllokuar atë.

Por, thirrjet e Bayernit për penallti ranë në vesh të shurdhër, pasi zyrtarët e ndeshjes e vazhduan lojë, dhe Marcelo tani thotë se i takoi gjyqtarit të vendoste nëse ishte penallti apo jo.

I pyetur nga Fox Sports nëse topi e kishte goditur në dorë, Marcelo tha: “Po, më goditi në dorë”.

E i pyetur nëse është dashur të akordohej penallti, braziliani shtoi: “Epo, nëse më preku në dorë, do të thosha po”.

“Ndodhi çka ndodhi. Ka qenë e vështirë për gjyqtarin, sepse pamja e tij u bllokua nga shumë lojtarë, ama do të gënjeja po të thosha se topi nuk më ka prekur në dorë”, shtoi ai.