Mbahet akademia përkujtimore për Heroin Jashar Jashari (Duraku) dhe 13 dëshmorët e kombit

0
512
Sot është mbajtur akademia përkujtimore për të nderuar  Heroin Jashar Jashari (Duraku) dhe 13 dëshmorët tjerë të kombit, me rastin e 19 vjetorit të rënies së tyre.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Vushtrrisë , Xhafer Tahiri tha se familja e tij, shokët, bashkëluftëtarët na e sollën lirinë me gjakun dhe  sakrificën e tyre. Kurse, ne si të zgjedhur të popullit, duhet që me punë të ndershme dhe të vyeshme ta jetësojmë amanetin e tyre.

Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku deklaroi se në ditët kur përkujtojmë dëshmorët e kombit, kujtojmë përpjekjet dhe luftërat e popullit tonë për liri. Këto kujtime, domosdoshmërisht na bëjnë të reflektojmë. Klinaku shtoi se është e vështirë të shkruhet dhe të nxirren në sipërfaqe heroizmat e luftëtarëve të lirisë. Jashar Jashari dhe të gjithë këta bashkëluftëtarë, e që tani janë heronj dhe dëshmorë të kombit, ecnin këtyre shtigjeve. Vështirë ishte. Këtë e dijnë vetëm ata, mbi supet e të cilëve peshoi kjo barrë.

Aziz Bici, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës tha se ushtarët e Jashar Jasharit, e që më vonë u sistemuan në këtë batalion ishin të suksesshëm në beteja të ndryshme. Ai bëri apel që të jemi të bashkuar edhe tani, kur po rrezikohet siguria e shtetit tonë, siç ishim të bashkuar në luftë.

Behram Rrahmani, bashkëluftëtar i Jashar Jasharit tha se në mesin e marsit të vitit 1998, Jashar Jashari, erdhi në vendlindjen e tij, Stroc. Në fshat, Jashari fillon organizimin e celulave të para të UÇK-së, duke shtrirë aktivitetet edhe në fshatrat tjera rrëzë Çyçavicës.Ai kujtoi betejën e Hamidisë, më 11 mars të vitit 1998, ku ushtarët dhe paramilitarët serb tentuan t’i zënë në befasi fshatrat , Lajthishtë, Hamidi, Sibofc dhe synonin të depërtonin edhe më thellë në fshatrat rrëzë Çyçavicës. Mirëpo, për këtë aksion u informua komandant Duraku, ku bashkë me ushtarët tjerë dolëm fitimtarë, duke u shkaktuar forcave serbe dëme materiale dhe duke i lënë të vrarë 3 paramilitarë serb dhe disa të plagosur.

 

Ndërkaq, Blerim Zhabari foli si bashkëluftëtar i Jashar Jasharit, ku përshkruajti  momente  që nga koha kur janë njohur në Shqipëri. Zhabari tha se , gjatë hyrjes në Kosovë, Jashari ishte i emocionuar dhe sa herë që përmendej emri Kosovë, atij iu mbushnin sytë me lot.

Këtë akademi përkujtimore e përshëndeti veprimtari i çështjes kombëtare, Ndue Dodaj nga krahina e Mirditës në Shqipëri.

Vajza e Sami Saraçit, Benita kujtoi momente, kur Jashar Jashari kishte shkuar në familjen e Imer Saraçit për shtrirjen e organizimit në lagjen “Saraçi”. Me këtë rast, Sami dhe Bashkim Saraçi e mirëpritën këtë dhe iu bashkuan radhëve të UÇK-së.

Me këtë rast, u mbajt edhe një program artistik me këngë kushtuar Heroit Jashar Jasharit dhe Betejës së Hamidisë.
Më 29 mars të vitit 1999, konkretisht  pas mesnatës, në Livadhet e Qershisë mbi Shishman të Gjakovës, Jashari së bashku me trembëdhjetë trima të tjerë, (Mehdi Zabeli, Mon Maqi, Jahja Danuza, Kadri Berisha, Nuhi Elezaj, Bujar Syla, Xhemajl Avdullahu, Armend Qymyri, Bujar Syla, Naim Lata, Florim Sejdiu, Ibrahim Asllani, Besim Rama , bien heroikisht për të mos vdekur kurrë.

Kjo është një video, ku Jashar Jashari – Duraku ishte duke u nisur nga Gjermania për të shkuar në luftën e Kosovës. Ishte kjo hera e dytë dhe e fundit e udhëtimit të tij, kur dhe ra dëshmor në kufirin shqiptaro-shqiptar.