Mbi 5 mijë qytetarë gjatë vitit 2018 hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës

Mbi pesë mijë qytetarë të Republikës së Kosovës, apo saktësisht 5464 që kanë hequr dorë nga shtetësia vetëm gjatë vitin 2018, bëjnë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Të shtyrë nga faktorë të shumtë, e sidomos për shkak të rrethanave jo të mira socio-ekonomike që po mbretërojnë për vite në Kosovë, çdo vit po rritet edhe numri i atyre që po largohen nga Kosova.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) vetëm gjatë vitit që sapo kemi lënë pas kërkesën për lirim nga shtetësia e Kosovës e kanë paraqitur 5578 qytetarë, ndërsa lirimi u është pranuar 5464 personave.
Bazuar në të dhënat e MPB-së shihet se ata që po heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës janë qytetarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, e kryesisht nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
“Nga gjithsej 5464 persona, numri më i madh i atyre që kanë humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës, vjen nga shtetasit e Kosovës që jetojnë në Gjermani me 4719 vetë. Ndërsa vetëm 237 tjerë kanë pranuar shtetësi të vendeve të tjera”, sqaron ministria për FaktePlus.
Sipas të dhënave që janë publikuar gjatë viteve të fundit, shihet se mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5 mijë mijë qytetarë.
Kështu një llogaritje e thjeshtë tregon se nga viti 2009 e deri më sot, pra brenda një dekade, janë së paku 50 mijë qytetarë që kanë hequr dorë nga Republika e Kosovës.