Mbi 62 milionë euro do të kushtojë implementimi i Ligjit të pagave për tri vjet

Hyrja në fuqi e Ligjit për pagat e të punësuar në administratën shtetërore për tri vite do t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbi 60 milionë euro.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar në mbledhjen e Qeverisë ka prezantuar koncept-dokumentit për pagat që realizohen nga buxheti i Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se paga bazë do të përkufizohet si rezultat i grupit të punës si dhe do të shërbej parimi i pagës së njëjtë për punën e njëjtë.

“Paga bazë do të përkufizohet si rezultat i grupit të punues , ku do të shërbej parimi i pagës së njëjtë për punën e njëjtë. Raporti në mes pagës më të ulët dhe të lartë do të jetë prej 1 deri në 12”.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se miratimi i këtij drafti është një ngjarje me rëndësi për vendin dhe qeverinë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se edhe pse e kanë përkrahur këtë rekomandim, kjo reformë do të ketë implikime buxhetore.

“Ministria e Financave vlerëson se nga implikimi buxhetor kjo reformë do t’i kushtojë buxhetit mbi 62 milionë për periudhën 2018-2020”.

“Ne si MF kemi dhënë rekomandimin tonë pozitiv por po kërkojmë që kjo të përputhet me legjislacionin në fuqi. Sepse ne vlerësojmë se kostoja për tri vitet e para mund të jetë edhe më e lartë”.