Mbyllen 35 lokale të lojërave të fatit, konfiskohen 118 aparate

0
348

Policia e Kosovës gjatë të premtes ka realizuar një aksion nga i cili ka rezultuar me mbylljen e 35 lokaleve që veprimtari kanë lojërat e fatit dhe konfiskimin e 118 aparateve, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, e dyta gjatë ditës së sotme, Policia ka bërë të ditur se kanë qenë raste të iniciuara për hetim kohë më parë.

Agron Nezaj nga Divizioni kundër krimit të organizuar në kuadër të Policisë së Kosovës, tha se operacioni ka mbërritur në fazën e operacionit dhe si i tillë ka qenë në bashkëpunim edhe me Administratën Tatimore të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe institucione të tjera.

“Operacioni është në vazhdim kemi mbrri në një fazë të operacionit. Nga ATK-ja janë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit ndërsa, Dogana ka konfiskuar 118 aparate të lojërave të fatit”, ka thënë Nezaj.

Sipas tij, janë përfshirë gjithsejtë 235 lokacione në regjione të ndryshme të vendit.

“Regjioni i Prishtinës 65 lokacione, Mitrovica e jugut 22 lokacione, Mitrovica e veriut 21 lokacione, regjioni i Pejës, 25 lokacione, regjioni i Gjakovës, 12 lokacione, regjioni i Ferizajt, 34 lokacione dhe Gjilani, 37 lokacione. Gjithsejtë janë 235 lokacione”, ka shtuar Nezaj, raporton Ekonomia Online.

Sipas Nezajt, ky operacion ka përfshire rreth 1000 zyrtarëve të institucioneve.“Ky operacion ka përfshirë 1000 zyrtarë, qoftë nga Policia, Dogana dhe ATK-ja. Prej tyre 950 zyrtarë janë nga Policia, 161 nga ATK-ja dhe 77 nga Dogana”, bëri të ditur Nezaj.

Ndërsa, Hamit Vula nga Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë se lojërat e fatit si veprimtari bazohen në ligji, sipas tij, aparaturat në ato kazino operojnë në mënyrë të jashtë ligjshme.

“Realisht të gjitha lojërat e fatit veprojnë në bazë të ligjit 04/L 080 ku parashihen aparate të ndryshme të lojërave të fatit, keni të drejtë aty ku ka pasur kazino kanë vepruar në mënyrë të paligjshme dhe mu për atë ky aksion është i dedikuar për këto raste”, tha Vula