Më në fund zgjidhet problemi me certifikata

Pas disa muajve, Ministria e Punëve të Brendshme ka arritur të pajisjet me certifikata të gjendjes civile.

Tenderi i MPB-së me certifikata nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin mars ishte anuluar, duke bërë që pothuajse të gjitha komunat të punonin në mungesë të certifikatave, duke i zëvendësuar ato vetëm me letër të bardhë.

Telashe më së shumti patën komunat e mëdha për shkak të kërkesave të shumta të qytetarëve për tu pajisur me këto dokumente.

Mirëpo, problemet me certifikata kanë mbaruar, pasi MPB ka shpallë ofertuesin dhe ka nisur të furnizoj komunat.

Në një përgjigje për Indeksonline, MPB ka njoftuar se të hënën ky institucion është pajisur me to.

“ARC/MPB të hënën, me 01.07.2019 është pajisur me certifikata të gjendjes civile dhe i ka shpërndarë në të gjitha ZGJC në komuna ku ka pas mungesë të certifikatave, e edhe në ZGJC në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në mungesë të certifikatave, Agjencia për Regjistrim Civil u kishte kërkuar të gjitha Zyrave Komunale të Gjendjes Civile në Kosovë që në mungesë të formularëve të përdorin metodat alternative.

Kështu, komunat kryesisht ato të mëdha si e Prishtinës, Gjilanit, Prizrenit në vend të certifikatave kishin lëshuar dokumente në letër të bardh.

Ndërsa, disa komuna më të vogla si Drenasi, Podujeva, Obiliqi nuk kanë pasur mungesë të certifikatave.

Ndryshe, vlera e përgjithshme e kontratës së MPB-së për furnizim me certifikata të gjendjes civile është 415.660,00 euro. Kohëzgjatja e kësaj kontrate është paraparë të jetë për 36 muaj.