Mediat serbe entuziazmohen me intervistën e Veton Surroit

Mediat serbe kanë publikuar intervistën e publicistit kosovar, Veton Surroi për 11 vjetorin e pavarësisë, ku ai thotë se “kurrë nuk është vonë për ta lënë duhanin dhe Kosovën”. B92 duke iu referuar intervistës së Surroit, dhënë në mediumin e tij, Koha, artikullin e shkruan me titull “Pavarësia po vihet në pikpyetje që Thaçi të mos shkojë në burg”, përcjell Periskopi.

Periskopi dje ka bërë interpretimin e intervistës së Surroit, lidhur me zhvillimet e fundit politike e shoqërore në vend.

Ndër tjerash, Surroi thotë që “kurrë nuk është vonë me e lanë duhanin dhe Kosovën” për të shprehur kësisoj paperspektivën e vendit.

Në intervistën e tij, Surroi bënte thirrje të lëshohet vendi, ose të “çlirohet” sërish.

“Janë tri rrugë të mundshme. Një, shkërmoqja e mëtejme e shtetit dhe shoqërisë, me një model tashmë të verifikuar, të jetës prej mjeteve të diasporës. Dy, e në rrjedhë me rrugën e parë, rritja e numrit të të larguarve nga ky vend, në mënyrë që të financohet vazhdimësia e shkërmoqjes. Dhe tre, ngritja në këmbë e të zhgënjyerve, e atyre që u bie ta çlirojnë sërish vendin.”, thotë Surroi.