Memli Krasniqi i thotë “PO” ftesës së Kurtit për takim, LDK e AAK ende nuk kanë vendosur

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do t’i përgjigjet ftesës për një takim pune me kryeministrin Albin Kurti.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka thënë se Krasniqi në këtë takim do të diskutojë mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja, për të cilat tha se PDK i sheh si zgjidhje për të dalë nga “kriza në çdo fushë”.

“Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka thënë Abdullahu për Express.

Ndëkohë nga LDK ende nuk kanë një qëndrim nëse do të shkojnë apo jo.
Reporteri.net ka kontaktuar zëdhënësin e LDK-së, Besian Mustafa, njëherit deputet, i cili ka konfirmuar se kanë marrë ftesë për takim, por nuk kanë vendosur ende.

“Konfirmoj që kemi pranuar ftesën e Kurtit”, ka thënë Mustafa për Reporteri.net. I pyetur nëse kanë marrë vendim të shkojnë në takim apo jo, Mustafa nuk ka treguar duke thënë “ju njoftojmë me kohë”. Por burime të Reporteri.net brenda LDK-së, kanë thënë se nuk pritet që kryetari i tyre, Lumir Abdixhiku, të shkojë të hënën në takim me Kurtin, pasi arsyeja e ftesës në të vërtetë nuk është për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror, pasi kjo është temë e Kryesisë së Kuvendit, por se kryeopozitarët janë ftuar që në tavolinë më pas të diskutohen çështje të tjera.

Lini një Përgjigje