Mero Baze: Opozitarizëm në kohë të koronavirusit

Shkruan Mero Baze:

Në Shqipëri epidemia e panikut, po përpiqet t’i zërë vendin epidemisë së Koronavirusit. Lajme të rreme rreth pranisë së koronavorusit janë shpërndarë në rrjetet sociale, ndërsa disa mjekë që duan të bëjnë protagonistin opozitar dhe me panikun ndaj epidemisë, po kthehen në “kasandra” të epidemisë.

Por mbi të gjitha shquan Sali Berisha. Ka 24 orë që poston komente dhe përcjell lajme të rreme nga “qytetari digital”, rreth koronavirusit. Ka shpikur faktin që qeveria ka thënë vetësigurohuni në karantinë, gjë që nuk e ka thënë.

Ka shpikur si vend karantine spitalin e Kavajës dhe e ka kundërshtuar po vetë. Ka shpikur se nuk kontrollohet njeri në aeroporte e porte, ka deklaruar se koronavirusi mund të ketë mbërritur në Shqipëri dhe mund të jetë duke bërë kërdinë e broçkulla të tjera.

Ne nuk kemi imunitet ndaj kësaj epidemie. Ajo mund të mbërrijë vërtet në ditët që vijnë dhe ne duhet të përballemi me të. Përballë një sfide të tillë janë të gjithë të prekshëm.

Ajo që mund të kemi në dorë ne si shoqëri dhe si media, është përgjegjshmëria publike në sjelljen ndaj kësaj epidemie. Nëse ndodh, ajo i ngjan një gjendje lufte, ku komandojnë institucionet shëndetësore dhe jo të marrët e rrugëve. Mirë apo keq, të zot apo të paaftë, të mirë-pajisur apo keq-pajisur, ata do të jenë zotërit e asaj lufte dhe ne duhet të mësojmë të sillemi si në një gjendje të jashtëzakonshme, derisa rreziku të kalojë.

Ky plak i çmendur, që lut orë e minutë, të afrojë epidemia, dhe e bën fakt të kryer që koronavirusi ka mbërritur, që fillon e jep mendje e urdhëra se si të sillemi ndaj tij, është i pari që duhet futur në karantinë.

Ka kaq kohë që lutet për çdo fatkeqësi natyrore apo njerëzore, me shpresë se fatkeqësia sado e rëndë të jetë, sado shkatërrimtare, për të është e mirë se mund të shkatërrojë dhe qeverinë.

I pashpresë në fuqitë e tij politike, i braktisur nga njerëzit dhe me një urrejtje të fshehur për një popull që nuk e do, ai lutet orë e minutë të vijë ora e fatkeqësisë dhe të shikojë se si njerëzit mund t’i ndëshkojë zoti, se nuk duan atë.

Koronavirusi ka prekur disa nga vendet më të mëdha të botës, vende komuniste si Kina, ku kontrolli shtetëror është në duart e një lideri të fortë, që ka marrë masa dragoniane, por dhe vende demokratike si Italia. Nuk kam parë në Itali ndonjë opozitar të mallëkojë e të ndjellë fatkeqësinë si ky njeri, i cili e ndjen se ka kohë të pamjaftueshme për të marrë hak ndaj një populli që nuk e do dhe ëndërron koronavirusin.

Askush nuk mund të bëjë profetin e të thotë sa dëme mund të kemi nëse prekemi nga kjo epidemi, por e sigurtë është që do të kalojë. Le të shpresojmë që  të mos numurojmë asnjë të vdekur pas ikjes së rrezikut, dhe të na mbeten si kujtime nga kjo epidemi, vetëm mallëkimet e Sali Berishës, që ka 24 orë që na ka kthyer në kryqytet të koronavirusit, pa patur ende asnjë pacient.

I vetmi pacient është ai vetë, që koronavirusin e shikon si si shpresë për të marrë hak ndaj një populli që nuk e do dhe ndaj një qeverie që nuk e rrëzon dot. Dhe për vete ndjehet i sigurt, meqë është hapur lajmi, se koronavirusi nuk i prek kafshët.

Lini një Përgjigje