Mësimdhënësja nga Prishtina merr çmimin “Shaban Jashari”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka ndarë sot çmimin vjetor “Shaban Jashari” për mësimdhënësin e dalluar të vitit, i cili këtë vit i është ndarë Ilmie Dumanit, mësuese në shkollën “Dardania” në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se mësimdhënësit në çdo kohë kanë ditur të rreshtohen edhe për dije, edhe për çlirim.

Ministri Bytyqi theksoi se kjo festë e rëndësishme, jo rastësisht qëlloi të jetë gjatë ditëve kur shënohet Epopeja e UÇK-së. “Mësimdhënësit, siç ditën në çdo kohë të kontribuojnë për dije, ditën të kontribuojnë edhe për organizimin e luftën çlirimtare dhe për lirinë e vendit tonë. Anadaj, ne duhet t’i kujtojmë gjithmonë këta mësimdhënës, këto data dhe këtë histori”.

“Duhet të vazhdojmë t’i çmojmë mësimdhënësit tanë, sepse po vazhdojnë që me angazhimin e tyre dhe me dëshirën e madhe për punë t’i edukojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë, t’i përgatitin ata tashmë për një mision të ri, pra për zhvillimin e vendit”, u shpreh ai.

“Prandaj, e kemi obligim t’i përkujtojmë këta mësues dhe në ditët e sotme duhet të dimë t’i çmojmë. Neve si institucion, si MASHT, na takon që minimumi t’ju ftojmë kështu si sot dhe t’ju urojmë Ditën e Mësuesit”, ka deklaruar Bytyqi.

Ai tha se kjo do të jetë një shtytje për mësimdhënësit, se MASHT po tregon përkushtimin dhe përkujdesjen e duhur për ta.

“Na presin shumë angazhime. Kemi nevojë që standardi i arsimit të jetë në një nivel tjetër. Nëse të gjithë angazhohemi, do t’ia dalim që të kemi një sistem më të mirë arsimor dhe të rinjtë tanë të jenë në të njëjtin nivel me të gjithë të rinjtë e vendeve tjera”, është shprehur ministri Bytyqi./Indeksonline/