Meta: Mbrojtja e kulturës arbëreshe, forcon më tej marrëdhëniet e shkëlqyera Shqipëri-Itali

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thotë se angazhimi i nëntë komunave në Itali, konkretisht ato të rajoneve të Puljas, Molises, Kampanias dhe Abrucos për të bashkëpunuar në mbrojtjen e kulturës arbëreshe është ngjarje, e cila sipas tij duhet të këtë mbështetje maksimale.

Kreu i shtetit thekson se ndihet i lumtur që ka marrë pjesë në nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimi. Ai pohon se ky është një tregues i qartë dhe që shërben për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Postimi i plotë i presidentit Meta:

Angazhimi i nëntë komunave të rajoneve të Puljas, Molises, Kampanias dhe Abrucos për të bashkëpunuar me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e identitetit dhe trashëgimisë së jashtëzakonshme të kulturës arbëreshe, është padyshim një ngjarje e gëzuar që meriton vlerësim dhe mbështetje maksimale.

I lumtur të merrja pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të këtij Protokolli Bashkëpunimi, për të shprehur edhe njëherë mirënjohjen e thellë për angazhimin e shtetit italian, nga niveli qendror dhe deri në atë lokal, për ruajtjen e kësaj pasurie të përbashkët kulturore, që i forcon më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me Italinë.