MI: Ka vështirësi në qarkullim, por të gjitha rrugët janë të kalueshme

Reshjet e dendura të borës që kanë rënë në Kosovë e kanë vështirësuar qarkullimin rrugor.

Qytetarët janë ankuar për gjendjen e vështirë të rrugëve si dhe bllokimin e tyre, shkruan lajmi.net.

Ankesa ka pasur edhe për autostradën Prishtinë-Pejë si dhe për atë “Ibrahim Rugova”.

Mirëpo, nga Ministria e Infrastrukturës po thonë se të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme.

Zëvendësministri, Rexhep Kadriu tha për lajmi.net se ka vështirësi në qarkullim mirëpo se nuk kanë informacione për bllokim të rrugëve.

“Të gjitha rrugët në Kosovë momentalisht janë të kalueshme. Deri më tani nuk kemi informacion për bllokim të rrugëve diku në Kosovë. Megjithatë reshjet janë mjaftë të dendura dhe ka vështirësi në qarkullim”, ka thënë Kadriu për lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se ekipet e ministrisë veç kanë dalë tashmë në terren për të përcjellur nga afër situatën.

Reshjet e borës që kanë filluar pas mesnatës në Kosovë, sipas hidrometeorologëve pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme. /Lajmi.net/