Miftaraj reagon për tenderin 110 milionësh të Pal Lekajt

Shpallja e një megatenderi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, e cila udhëhiqet nga ministri në largim Pal Lekaj, në vlerë prej mbi 110.6 milionë euro po përcillet me reagime nga përfaqësues të shoqërisë civile në vend, raporton portali “Front Online”.

Sipas dokumenteve të tenderit të siguruara nga portali “Front Online”, ministri Lekaj ka shpallur këtë tender derisa është në fund të mandatit të tij dhe njëkohësisht Kosova nuk e ka të miratuar as buxhetin e vitit 2020.

“Qeveria në ikje padyshim se nuk ka asnjë legjitimitet me shpall një tender të tillë. “Qeveria në ikje nuk mundet me fut obligime prej qindra miliona euro Qeverinë në ardhje” ka thënë për “Front Online” Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD).

Ky njëherit është tenderi i tretë më i madh për nga shuma, përpos Autostradave “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”, i shpallur nga Ministria e Infrastrukturës deri më tani.

Sipas dosjes së tenderit që e ka siguruar portali “Front Online” të hënën që lamë pas, më 13 janar 2020, Ministria e Infrastrukturës ka publikuar njoftimin për kontratë me titull: Ndërtimi i Autoudhës A7, kryqëzimi në disnivel A6, Autostrada A7 Banullë-Dheu i Bardhë, pjesa e udhëkryqit Bresal-Dheu i Bardhë.

Ky tender është i ndarë në katër lote: Loti i parë është mbi 7 kilometra, loti i dytë është 5.1 kilometra, loti i tretë është 6.4 kilometra dhe loti i katër është 6.2 kilometra.

Bazuar në vlerën e përgjithshme të projektit prej mbi 110.6 milionë, vlera e një kilometri Autostradë të shpallur së fundi nga Pal Lekaj do t’i kushtoj buxhetit të Kosovës rreth 4.5 milionë euro, raporton portali “Front Online”.