Milaim Zeka deklarohet i pafajshëm për mashtrimin me viza pune

0
309

Ka nisur gjyqi për mashtrimin me viza punësimi në Gjermani, ku të akuzuar janë Milaim Zeka, Edmond Kërliu dhe Ilir Krasniqi.

Zeka në gjykim, sot është deklaruar i pafajshëm për këtë çështje.

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka, ka thënë sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës se ndihet i pafajshëm për veprën që e ka ngarkuar prokuroria, madje nuk po e kupton as aktakuzën.

Në këtë rast penal, nuk është vetëm Milaim Zeka i akuzuar. Prokuroria i ka cilësuar si bashkëpunëtor të tij edhe Edmond Kërliun dhe Ilir Krasniqin për të cilët po dyshohet se kanë bërë mashtrime përmes një biznesi që reklamohej si agjenci punësimi.

Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se të tre kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune, mirëpo të tre janë deklaruar sot të pafajshëm, raporton express.

Milaim Zeka, Edmond Kërliu dhe Ilir Krasniqi akuzohen për vepra penale të mashtrimit, shmangia nga tatimi, si dhe për veprën penale të pastrimit të parave.

Sipas prokurorisë, që të tre, që nga viti 2016 e deri në mars të 2017-s, me qëllim të përftimit të kundërligjshëm pasuror kanë regjistruar biznesin si agjenci punësimi dhe kanë paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.