Milaim Zeka: Në grevat në Prishtinë e Tiranë ka gisht Rusia

0
597
Deputeti kritik i Nismës Social Demokrate, Milaim Zeka, ka komentuar për Periskopin përplasjen e fundit të qëndrimeve të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit e njëherit partnerit të tij të koalicionit nga PDK, Kadri Veseli rreth taksës ndaj produkteve serbe dhe ato boshnjake.
Veseli ka bërë të ditur se sot është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, të cilit ia ka propozuar idenë për pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake për 120 ditë , raporton Periskopi.
Veseli ka thënë se Kosova nuk duhet të përdor assesi politika kushtëzuese ndaj SHBA’së e BE’së, duke aluduar në letrën e sotme të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Periskopi pati raportuar se si Veseli dhe Haradinaj i kishin propozuar ambasadorit amerikan pezullimin e taksës për 120 ditë në takimin e javës së kaluar, por që ky propozim ishte refuzuar nga Kosnett.
Takimi i sotëm i Veselit me Kosnett vjen vetëm dy orë pasi kryeministri Haradinaj publikoi një letër ku numëron kushtet që ka ndaj BE-së dhe Amerikës për heqjen e taksës, por pa përmendur asnjë ultimatum.
Kësisoj partnerët e koalicionit brenda dy orëve dolën me dy qëndrime të kundërta për taksën.
Sipas Zekës kjo tregon se ka lëvizje të reja por edhe përçarje brenda koalicionit qeverisës PAN.

“Unë e di që deputetët janë pro taksës. Tash paskemi domethënë brenda Koalicionit lëvizje të reja të cilat mujna me fol tek nesër apo pasnesër për këtë por në qoftë se ata kanë dalë me deklarata të kundërta del që partnerët e koalicionit nuk kanë qëndrim të njëjtë”, ka thënë Zeka për Periskopin.

Lëvizjet e reja në PAN, sipas tij janë vërejtur edhe me ngutinë për të marrë lëvdata rreth vendosjes së taksës krejtësisht në fillim, e pikërisht mes partnerëve të koalicionit.

“Ajo që ka qenë befasi ka qenë lëvdata për atë se kush ka marrë vendim i pari. Edhe domethënë lëvdatat rreth taksës ka tregu që ka plasaritje sepse nuk ka qenë e qartë se si është vendimi rreth taksës dhe vazhdimisht kam thënë që njeriu i parë që ka marrë këtë vendim ka qenë ish ministër Bajram Hasani, ministër i Industrisë dhe I tregtisë i cili de facto më së pari është sulmuar prej nismës, pse me marrë këtë iniciativë ne s’mund të vendosim taksë. Kur u vendos taksa atëherë NISMA si parti politike brenda koalicionit po flas, ka qenë e para që ka dashtë me marrë këto merita. Pastaj ka vazhduar me vallen e Partisë Demokratike të Kosovës duke thënë se jo ne e kemi vendos punën e taksës gjë që edhe kjo më ka lënë disi edhe dyshime edhe qëndrime amatoreske politike duke e ditur që është shefi i ekzekutivit, i zoti i shpisë i cili merr vendime dhe për këtë ka qenë kryeministri Haradinajt”, ka thënë Zeka për Periskopin.

Ai u shpreh i bindur se heqja e taksës do të çojë vendin në zgjedhje të reja. E këto kalkulime sipas tij po i bën PDK-ja.

“Unë personalisht mendoj që heqja e taksës do të qojë në rrëzimin e Qeverisë dhe zgjedhjet e reja aq sa unë kam informacione kështu do të jetë…kalkulimet e PDK-së në rastin konkret edhe kalkulimet për demarkacionin, kalkulimet në rrëzimin e Qeverisë Mustafa por edhe tash e vetmja parti që mund ta rrëzojë qeverinë haradinaj është PDK dhe për mu janë kalkulime të gabueshme duhet me dalë në një qëndirm të përbashëkt ehde kryeministri edhe z. Veseli edhe me dalë me një qëndrim të përbashkët dhe me thanë po shkojmë në zgjedhje të reja dhe të lira për shkak se vendi është në kollaps, personalisht mendoj që problematikë më e madhe është greva. Janë qu i madh e i vogël me hangër Kosovën, me hangër buxhetin dhe kjo është më serioze se çështja e taksës. Janë lëvizje interesante filloj me grevë në Tiranë dhe po përfundon në Prishtinë, janë lëvizje shumë interesante, Unë mendoj që faktori rus është duke ndiku shumë në politikat tona si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë”, ka thënë Zeka.