Ministri Cakaj përplaset me Daçiqin

Gent Cakaj ka pasur dje takimin e parë si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, de facto. Ai ka marrë pjesë në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u zhvillua në Bukuresht në kuadër të presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të BE-së.
Por, Cakaj është përballur me një situatë befasuese nga Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, i cili nuk ka mundur të mos e shigjetojë zv.ministrin shqiptar që vjen nga Kosova.

Meqënëse në takim përveç tij ishte dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Behxhet Pacolli, Daçiq ka kërkuar shkas për ta parë këtë si provokim duke e nisur takimin me shigjetime.

Në përpjekje për të vënë në pozita të vështira Cakajn përballë liderëve europianë, Daçiq ka shprehur shqetësim përse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë.

“Pse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga ministri i jashtëm Edi Rama”, ka thënë Daçiq.

Por, ministri i deleguar Gent Cakaj nuk ia ka lënë mangët dhe i ka kthyer një përgjigje të shpejtë Daçiq që ka shkaktuar të qeshura në sallë.

Nisur nga fakti që Daçiq është nga Prizreni, ministri Cakaj i ka kujtuar se duhej të ishte skandalizuar më herët.

“Në fakt zoti ministër ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy, dhe ka një fjalë që thotë nuk ka dy pa tre! Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë, ndërsa unë po jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë!”, i tha Cakaj-Daçiqit.