Ministri gjerman për dialogun Kosovë-Serbi: Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç marrëveshjes gjithëpërfshirëse

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, ka thënë se për Kosovën dhe Serbinë nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut dhe marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Ndërsa ka folur sot për zgjidhjen që do të çonte përpara të gjithë rajonin, Heiko Maas në një diskutim virtual vlerësoi qasjen e Miroslav Lajçak karshi të dyja palëve për rinisje të negociatave.

”Në mënyrë të veçantë kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë”, ka deklaruar ai.

”Zgjidhja është e vonuar. Ndaj jam shumë mirënjohës që Miroslav Lajçak rinisi në korrik dialogun e ndërmjetësuar nga BE”.

”Dhe unë ndaj plotësisht këndvështrimin e tij, se nuk ka asnjë alternativë tjetër veç një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese”.

Tutje ai u shpreh se për një ujdi përfundimtare duhet një udhëheqje e fortë politike, njofton Klan Kosova.

”Një hap i tillë kërkon udhëheqje të fortë politike”.

”Dhe unë kam besim se udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë do ta dëshmojnë këtë – duke u angazhuar në mënyrë konstruktive kundrejt njëri-tjetrit, dhe duke shtruar kësisoj rrugën drejt një epoke të re”.

”Sa më shpejt të filloni, aq më mirë do të jetë për stabilitetin në të gjithë rajonin”.

”Dhe aq më shpejt do të zhbllokoni perspektivat e Kosovës dhe Serbisë për në BE”, ka shtuar Mass.