Ministri i Ramës zbulon detajet për taksën e Rrugës së Kombit

Pas reagimeve të ashpra nga qytetarët e Kosovës, Shqipërisë dhe opozitës, ka reaguar Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës.

“Koncesionari do të përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë Autostradën sipas një pakete të paracaktuar të standardeve të performancës për një periudhë 30 vjeçare të koncesionit”- njofton ministria.

Deklarata e plotë

Në Marrëveshjen e koncesionit, datë 6.12.2016 “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të Autostradës Milot Morinë”, miratuar me VKM nr.870, datë 14.12.2016 “Për miratimin e kontratës se koncesionit, “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morine”, ndërmjet Republikës se Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe Konsoriumit “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC-Salillari shpk – Bee Tech-Violiap Ateve – Kastrati sh.a., ndër të tjera parashikohet se:

Koncesionari përdor një shesh me dy kahe për pagimin e taksës ne afërsi të tunelit të Thirrës dhe Koncesionari mbledh dhe mban të ardhurat nga taksa e rrugës.

Objektivi kryesor i këtij projekti Koncesion/PPP i punimeve dhe shërbimeve është përmirësimi i Autostradës dhe shfrytëzimi dhe mirëmbajtja efikase e saj.

Koncesionari do të përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë Autostradën sipas një pakete të paracaktuar të standardeve të performancës për një periudhë 30 vjeçare të koncesionit.

Taksa e rrugës karakterizohet dhe taksohet sipas përllogaritjes se klauzolës se kontratës se koncesionit, në varësi të klasës së automjetit në bazë të klasifikimit të Automjeteve.