Ministri Ismaili paralajmëron çmime të njëjta të barnave në secilën barnatore

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka paralajmëruar se në secilën barnatore të Kosovës do të ketë çmime të njëjta për barnat.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka njoftuar se Kosova është vendi i vetëm në Evropë së bashku me Bjollorusinë që nuk kanë mekanizma për rregullimin e çmimeve të barnave.
“Çmime të njëjta për barnat e njëjta në secilën barnatore në gjithë Kosovën, që t’u japim fund shpenzimeve shumë të larta të qytetarëve në blerjen e barnave. Kosova është vendi i vetëm në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk kanë mekanizma për rregullimin e çmimeve”, ka shkruar Ismaili.
Ismaili ka treguar se kanë hartuar një Udhëzim Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të barnave.
“Për ta ruajtur xhepin e qytetarëve, buxhetin e shtetit dhe për ta hequr Kosovën nga kjo “listë e zezë”, në bashkëpunim të afërt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ne kemi hartuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të barnave. Për ta pasuruar edhe më tej këtë dokument, organizuam edhe një debat publik me akterë të rëndësishëm vendorë dhe ndërkombëtarë dhe organizata të ndryshme joqeveritare”, ka përfunduar Ismaili.