Ministri në detyrë i Financave kërkon ujdi mes partive: Nga marsi s’ka paga për sektorin publik

Ministri në detyrë i Financave, Lulzim Rafuna, ka dhënë disa skenarë se si mund të zgjidhet çështja e buxhetit nëse nuk ka formim të qeverisë brenda shkurtit.

Rafuna, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se pagat për shërbyesit civil në Republikën e Kosovës do të dalin nesër me 30 janar pavarësisht se nuk është miratuar buxheti për këtë vit.

Ai ka thënë se në bazë të Ligjit në muajt janar e shkurt do të shfrytëzohet 1/12 e buxhetit të vitit të kaluar për të bërë pagesat e pagave dhe shërbimeve tjera.

Ministri në detyrë i Financave ka thënë se për shkak të mungesës së Ligjit për Qeverinë ka hezitime se çfarë kompetenca ka qeveria në dorëheqje apo detyrë.

Rafuna ka thënë se me asnjë Ligj nuk njihet termi “qeveri në dorëheqje” apo “qeveri në detyrë”, por vetëm “qeveri”.

Ministri në detyrë i Financave ka thënë se duhet një ujdi mes partive për të gjetur një mënyrë për të miratuar buxhetin e vitit 2020.

“Ne po i afrohemi muajit shkurt, kur pas këtij muaji nuk do të kemi të drejtë të bëjmë asnjë pagesë nëse Kuvendi nuk nxjerr ndonjë vendim që lejon që edhe muaji Mars të ketë buxhetin si në vitin e kaluar”.

Rafuna ka thënë se buxheti për vitin 2020 është paraparë të jetë rreth 2.5 miliardë euro e që i bie të jetë më i lartë se ai i vitit paraprak.

Ky buxhet parashikon rritje 100% të shpenzimeve për armë dhe municione për FSK-në.

Ministri në detyrë i Financave ka thënë se shteti ka para edhe për të realizuar një proces tjetër zgjedhor nëse e kërkon situata.

Duke folur për rritjen e mundshme ekonomike për këtë vit, ai ka thënë se në bazë të parashikimeve rritja për këtë vit do të sillet rreth 4.5%.