Ministri thotë se është hequr Lista e Pritjes për CT në mushkëri në QKUK

Lista e Pritjes për CT në mushkëri, pas një kohe të gjatë, me aktivizimin e shërbimeve para dhe pasdite, është hequr.

Kështu ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, duket shtuar se me këtë marrin fund pritjet e qytetarëve deri në dy muaj që t’i diagnostikojnë shkaqet e sëmundjes së tyre.

“Pas një kohe të gjatë, me aktivizimin e shërbimeve para dhe pasdite, është hequr edhe lista e pritjes për CT në mushkëri në QKUK. Me këtë marrin fund pritjet e qytetarëve deri në dy muaj që t’i diagnostikojnë shkaqet e sëmundjes së tyre”.

“Tani të gjithë ata mund ta marrin këtë shërbim brenda dy ditëve. Kjo do të shkurtoj edhe kohën e qëndrimit të pacientit në spital dhe do ti mbrojë ata nga shpenzimet e shumta financiare”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar kanë deklaruar se po angazhohen që gjatë këtij viti të hiqen Listat e Pritjes edhe për shërbimet tjera që ofrohen në QKUK.