Ministria e Brendshme vendos ta ndalojë transportin publik në krejt Kosovën, reagon Shpend Ahmeti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se ka pranuar vendimin për ndërprerjen e Transportit Publik në tërë vendin, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Adiministratës Publike.

Ahmeti ka shkruar në Facebook, se MPBAP-ja ka marrë vendim duke mos u konsultuar as me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera.

“Sapo pranova vendimin e Ministrise së Punëve të Brendshme për ndërprerjen e Transportit Publik në krejt Republikën e Kosovës, menjëherë. Përderisa kemi qenë përkrahës kryesorë të masave restriktive, dhe po ashtu kemi mbështetur secilin vendim të nivelit qendror, ky vendim është marr pa asnjë konsultim, as edhe 30 sekondësh me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti thotë se përveç kostos, ky vendim ka ndikim edhe në qarkullimin e njerëzve të cilët nuk kanë mundësi tjetër udhëtimi.

“Ky vendim përveç kostos, ka ndikim në qarkullimin e njerëzve që nuk kanë mundësi tjetër, duke ditur që në Prishtinë ende funksionojnë institucionet publike, institucionet shëndetësore e edhe disa kompani. Ndoshta ky vendim do të ishte i domosdoshëm, por ndërprerja e menjëhershme pa kurfarë mundësie që të planifikojmë më mirë edhe si logjistikë edhe si kosto nuk ka nevojë të behet”, shkruan Ahmeti.

Kreu i Prishtinës thekson se koordinimi me të gjitha institucionet në këtë kohë është i domosdoshëm.

“Koordinimi me krejt institucionet është i domosdoshëm. Jemi të gjithë ushtarë në një betejë. P.S. besoj qe Qeveria do të shtojë edhe disa miliona subvencione për kompanitë e transportit publik në krejt Kosovën”, ka shkruar Ahmeti.