Ministria e Financave: Gjithçka gati për pagat me rritje, zbatimi në muajin dhjetor

Pas debateve të nxehta dhe grevave të shumta nga ana e sindikatave, deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar zbatimi i Ligjit në muajin dhjetor.

“Për zbatimin e Ligjit për pagat janë bërë përgatitjet për të filluar implementimi i tij në muajin dhjetor. Mjetet financiare janë në buxhet, masa e pagave e buxhetuar është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare”, tha Shahini.

Numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018 ishte 573 euro. Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare.

Lidhur më nivelin e pagës minimale, një punëtor në Kosovë që është i moshës nën 35 vjeç paguhet me 130 euro, kurse ata që janë mbi këtë moshë paguhen me 170 euro.

Kjo pagë nuk ka ndryshuar qysh nga viti 2011, atëherë kur ishte vendosur për këtë nivel. Mirëpo, në muajin prill të 2019-së, PSD kishte propozuar që paga minimale të rritet me 250 euro.