Ministrja Hoxha ishte sot në ceremoninë e organizuar nga Kolegji ESLG

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në solemnitetin e organizuar nga Kolegji Evropian për Studime Juridike dhe Qeverisje, ESLG, me ç’rast ka theksuar se të diplomuarit nga sot, duhet të jenë në gjendje të kombinojnë dijen e marrë gjatë studimeve me pjesën praktike por asnjëherë të mos lënë anash përgjegjësitë e tyre si qytetarë të këtij vendi, qytetarë të Republikës së Kosovës e cila pas pak ditësh mbush 10 vjet.

Ministrja Hoxha ka theksuar se drejtimet të cilat i ofron kolegji ESLG janë drejtime me perspektivë dhe dinamikë të tregut bashkëkohor, duke siguruar jo vetëm vende pune, por edhe një mori mundësish të tjera.

“Besoj fuqishëm se studimet teorike të gërshetuara edhe me njohuritë praktike do tu ofrojnë mundësi të mira punësimi dhe ju tashmë jeni gati për tregun e punës”, theksoi Ministrja Hoxha duke konsideruar se roli i institucionit arsimor në ndërtimin e karrierës së të rinjve është jashtëzakonisht i rëndësishëm por një pjesë e konsiderueshme e këtij suksesi varet edhe nga vetë studentët.

“Procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të Republikës së Kosovës. Qëllimi i shoqërisë sonë, dhe rrjedhimisht detyra jonë si përfaqësues politik mbetet vazhdimi i konsolidimit demokratik, ngritja e nivelit të sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave si dhe ndërtimi i një ekonomie të tregut funksionale, respektivisht adresimi i kritereve bazë të anëtarësimit në BE. Ne i konsiderojmë vlerat evropiane si tona, dhe rrugëtimi jonë nuk është i plotë pa u bashkuar në familjen evropiane”, theksoi Ministrja Hoxha

Studentet tanë kudo që kanë shkuar për të vazhduar më tutje studimet, theksoi Ministrja Dhurata Hoxha, na kanë bërë krenarë, qoftë me notat e tyre të larta, qoftë me promovimin e Republikës së Kosovës, pra, studentët janë ambasadorët tanë më të mirë në shtetet tjera!

Ajo më pastaj tregoi edhe për vizitën në Izrael me ç´ rast ka siguruar 100 bursa për studime në këtë vend, për të gjitha nivelet e studimit, bachelor, master dhe doktoranturë, duke i inkurajuar fuqishëm që ambiciet e tyre akademike të mos mbarojnë këtu, por të vazhdojnë shkollimin edhe në nivele të tjera.

“Ju jeni e ardhmja e Republikës së Kosovës. Pas pak ditësh do të festojmë 10 vjetorin e Republikës sonë. Një shtet 10 vjeçar ka ende shumë punë për të bërë në rrugën e shtetndërtimit. Duhet fuqizuar demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe ekonomia e lirë e tregut”, theksoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se te ta sheh liderët e së ardhmes, që do ta përfaqësojnë Kosovën në Evropë, shtetin më të ri të Evropës.

Më pastaj, fjalën e morën edhe Dekani, profesorë e studentë të shkëlqyer të këtij Kolegji. Kolegji ESLG është projekti i parë madhor i bashkëpunimit akademik dhe profesional në sferën universitare ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës në kontekst të marrëdhënieve tradicionalisht miqësore ndërmjet të dyja vendeve./ekonomiaonline/

Lini një Përgjigje