Miratohet indeksimi, ndryshojnë pensionet dhe kush përfiton

0
773

Ditën e sotme, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, u miratua vendimi për indeksimin në masën 2.8% të pensioneve.

Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë që kanë datë fillimi të së drejtës deri më 31.12.2014 pas datës 1.4.2019 nuk do të jenë më pak se 13 753 në muaj dhe më shumë se 27 506 lekë në muaj.

Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.4.2019 nuk do të jenë më pak se 9 418 lekë në muaj, por jo më shumë se 13 753 lekë në muaj.

Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.4.2019 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 13 753 lekë në muaj

Përfituesit e pensioneve, të caktuara pas datës 1.7.2018, por me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshi edhe këtë datë, përveç pensionit, do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.17, datë 20.1.2007, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve sipas pikës 1, të këtij vendimi, të jetë:

a) deri në 15 403 (pesëmbëdhjetë mijë e katërqind e tre) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe përfituesit e pensioneve sipas ligjit nr.150/2014;

b) deri në 14 903 (katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tre) lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare;

c) deri në 10 108 (dhjetë mijë e njëqind e tetë) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar./shekulli/