Mocioni i LDK-së për rrëzimin e Qeverisë mund të përkrahet nga PDK-ja

Partitë opozitare po kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por nuk dëshirojnë këtë qëllim ta arrijnë me votat e deputetëve të Listës Serbe. Së paku këto vota për ta rrëzuar Qeverinë po i refuzon Lëvizja Vetëvendosje, derisa Ismet Beqiri nga LDK-ja ditë më parë ka deklaruar se në rast të ngritjes së një mocioni votëbesimi partia e tij do të pranonte që edhe me votat e Listës Serbe të rrëzohej ajo, shkruan “Zëri”. 
Analisti politik Rasim Alija, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka thënë se mocioni i përmendur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë mund të mbetet vetëm dëshirë e kësaj partie.
Sipas tij, më i mundshëm është koordinimi i LDK-së me PDK-në për rrëzimin e Qeverisë sesa me partitë tjera opozitare si LVV-ja e PSD-ja.
“Siç duket në këto pozicionime të subjekteve politike mocioni i LDK-së mbetet vetëm dëshirë. E çka do të mundë të ishte më reale është një dakordim paraprak LDK – PDK. Kjo e para ta ngrejë mocionin, ndërsa PDK-ja të votonte pro dhe si rezultat do të kishim zgjedhje të reja. Por mbetet të shihet a do të ndodhë një skenar i tillë e mbi të gjitha a do të kishim edhe një herë koalicion LDK – PDK”, është shprehur ai.
Sipas tij, ka pak gjasa që mocioni i mundshëm i thirrur nga LDK-ja të përkrahet nga partitë opozitare.
“Nuk do të ishte problem se si do të ngrihet mocioni për rrëzimin e Qeverisë sa do të ishte problem që një mocion i tillë të kishte gjasa reale të përfundojë me sukses. Kemi PSD-në e cila edhe pse parti opozitare praktikisht është pjesë e Qeverisë, kemi Listën Serbe që për shkak të dialogut nuk besoj, sepse direktivat që i marrin nga Beogradi do të mundë ta përkrahnin një mocion për rrëzimin e Qeverisë, ndërsa LVV-ja tashmë është deklaruar se nuk do të përkrahte një mocion, i cili do të kalkulonte në votat e Listës Serbe”, theksoi Alija. /Zëri