Molliqaj e quan monark Kurtin: Po e bën kurban Konjufcën me të vetmin qëllim që të vij në pushtet

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas raportimeve se është arritur marrëveshje mes dy partive, Lëvizje Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për bashkëqeverisje.

Ai ka thënë se Kurti po i gëlltit fjalët e veta që i ka thënë Mustafës para 10 ditëve.

Molliqaj ka vlerësuar se kreu i VV-së po e bën kurban Konjufcën që të arrij në pushtet.

Postimi i plotë:

Ujdi monarkësh

Kurti, në letrën dërguar Mustafës 10 ditë më parë, e quajti “ujdi monarkësh” e “ogur fatkeq” largimin e Konjufcës nga Kryetari i Kuvendit.

Pikërisht këto fjalë sot, sipas raportimeve në media, i gëlltiti Kurti teksa arrinë marrëveshje me Mustafën. Ai po sillet si monark, me fjalë të veta, po delegjitimon institucionet demokratike me ujdinë e tij monarkiste dhe po bën kurban Konjufcën me të vetmin qëllim që të vij në pushtet.

Popullistët që vijnë në qeveri kanë një të përbashkët me elitat politike që i kritikojnë për korrupsion dhe marrëveshje të dëmshme. Në fund, ata arrijnë marrëveshje të njëjta si paraardhësit e tyre e gjithmonë arsyetohen me qëllimin e tyre dashamirë. Popullistët duke thënë për të mirën e popullit e elitat politike për të mirën e shtetit.

Popullistët si Kurti me elitat politike si paraardhësit e tij në pushtet nuk kanë dallim në qëllimet e tyre. Këta, teksa i ndryshojnë fjalët për më pak se 10 ditë, nuk sjellin ndryshim por vetëm stagnim.