Molliqaj-Konjufca, përballja e dy grupeve të përçara të Vetëvendosjes

Sonte në emisionin “Rubikon” të Kohavisionit është zhvilluar debati i parë  në mes dy grupeve të përçara të Lëvizjes Vetëvendosje, gjegjësisht në mes të Dardan Molliqajt e Glauk Konjufcës, ku kishte akuza ndaj njëri-tjetrit, edhe pse shpeshherë njëri-tjetrin e quante mik.

Ish-sekretari organizativ dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryetari aktual i kësaj partie Albin Kurti ka dashur gjendje të jashtëzakonshme për të ardhur në pushtet.

Ai ka thënë se Kurti ka kërkuar që të ketë njerëz të infiltruar nëpër institucionet e vendit që të informohej partia për zhvillimet e brendshme.

“Ai mendon që i ka disa vlera, por fjalitë e tij janë që thonë se vendimmarrja grupore është problem. Këtu kemi pajtueshmëri. Njeriu që më ka nxitë të bëjë gjëra ndryshe prej asaj që kemi menduar bashkë me Kurtin. Ne s’mundemi të vijmë në pushtet pa një gjendje të jashtëzakonshme’,thotë Kurti. Pra Albini dëshiron gjendje të jashtëzakonshme për të ardhur në pushtet”, ka thënë Molliqaj.

Mirëpo me këtë nuk pajtohet deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje,Glauk Konjufca. “Albin Kurti është pika më e fortë e Vetëvendosjes, dhe jo më e dobëta, siç pretendon grupi i të dorëhequrve të Vetëvendosjes”, thekson ai.

Konjufca beson se ende nuk janë shuar të gjitha shpresat për Vetëvendosjen, pasi sipas mund të bashkohen përsëri nëse ulen të diskutojnë çështjet e brendshme të partisë.

“Mendoj se do të ketë zgjidhje, dhe zgjidhja është e mundshme. Nëse të dorëhequrit nga Vetëvendosje mendojnë se zgjedhja e Kurtit është dëmtuese atëherë duhet të ulemi dhe të diskutojmë se pse kjo është dëmtuese. Nëse është mendim racional atëherë duhet të vazhdojmë së bashku”, është shprehur Konjufca.

Ndërkaq, Molliqaj thotë se Albin Kurti kishte akuzuar edhe Glauk Konjufcën se ishte ndikuar nga Ambasada britanike që përmes tij po synonte ta përçante Vetëvendosjen.

“Ka ardhë Albin Kurti dhe ka thënë se Ambasada Britanike po synon ta përçajë Vetëvendosjen përmes Glauk Konjufcës”, është shprehur Molliqaj.

Kurse, Konjufca iu kundërpërgjigj se të vetmin gjë që kishte bërë Kurti ishte se e kishte pyetur se me kënd e kishte vendosur që të shkonte në një aktivitet të Ambasadës.

“Albini më ka thënë me kënd e keni marrë vendimin që të shkosh në një aktivitet me Ambasadën britanike”, shprehet Konjufca.

Konjufca deklaroi se, sikur të kisha menduar se Vetëvendosja po shkon mbrapa moti kisha dalë prej saj. E ti po mendon se Vetëvendosja po shkon prapa, po ajo po shkon përpara. Se di pse Molliqaj duhet ta godasë Vetëvendosjen”.

Molliqaj ka insistuar se nuk po e godet Vetëvendosjen, por ka më shumë se një vit e gjysmë që mendimet e tij ndryshe po e pengojnë Vetëvendosjen.

“Nuk po e godas Vetëvendosjen. Ka më shumë se një vit e gjysmë se mendimet e mia po i pengojnë Vetëvendosjes, e cila nuk i dëshiron mendimet ndryshe. Vetëvendosje ka larguar shtatë prej njerëzve më të rëndësishëm të saj”, ka deklaruar Molliqaj.

Lini një Përgjigje