Mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, Kosova rrezikon t’i humbë 300 milionë euro

Kosova rrezikon t’i humbë rreth 300 milionë euro nga marrëveshjet financiare ndërkombëtare nëse vazhdohet kundërshtimi për të mos i ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Ministria e Financave paralajmëron uljen e pagave në sektorin publik përfshirë këtu edhe pagat e deputetëve që aktualisht kanë mbi 2 mijë euro.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se në rast se këto marrëveshje financiare nuk kalojnë, duhet rishkruar ose rikthyer rishikimin e buxhetit, që nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve ose zvogëlimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Krasniqi ka thënë se pa u votuar rishikimi i buxhetit 2020, nuk do të zbatohet as pakoja për rimëkëmbje ekonomike e as pakoja emergjente fiskale.

“Pjesë e rishikimit është edhe pakoja shtesë prej 620 milionë euro. Në rast se këto marrëveshje nuk kalojnë, atëherë duhet rishkruar ose rikthyer rishikimin e buxhetit, që nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve. Këto shpenzime ose duhet me i zvogëluar shpenzimet e rregullta ose duhet me zvogëluar pjesën që ka të bëjë me pakon për rimëkëmbjen ekonomike. Të dyja janë të dhimbshme”, thotë Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se disa prej pesë marrëveshjeve financiare ndërkombëtare që janë duke pritur për ratifikim që prej shumë kohesh, rrezikohen të humbin fondet dhe të pësoj ekonomia e Kosovës.

“Rrezikon një pjesë për me humb, një pjesë rrezikohet në kuptimin e afatit kohor. Kurse, rreziku më i madh është që ne nuk kemi mundësi dhe po e humbim një shans kushtimisht të artë që këto mjete me i vendos në kohë, në ekonomi”, tha ai.

Sa i përket zbatimit të pakos emergjente ose masës 3a dhe masat për mbështetja për bizneset, Krasniqi pohon se nuk do të ekzekutohen këto paga pa u rishikuar buxheti në Kuvend, pasi sipas tij, nuk ka asnjë mundësi ligjore.

“Nuk ka asnjë mundësi ligjore që të bëhen pagesat për pjesën e mbetur të pakos emergjente pa kaluar rishikimi. Ne jemi të përgatitur si Ministri e Financave, fondet janë në kuadër të procesit të rishikimit. Fondi për rimëkëmbje ekonomike, duke përfshirë edhe pjesën e pakos emergjente mjetet. Janë në momentin që rishikimi kalon, ne si Ministri Financave jemi të gatshëm me i kryer të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me pakon emergjente brenda një afati shumë të shkurt. Obligimet na kanë mbetur edhe për muajin e parë masa për pagesën e qirasë. Pra, jemi të gatshëm… dhe kishim me pasur mundësi financiarisht me i ofruar diku 80 deri 100 milionë për pagesat e punëtorëve dhe të sektorit privat brenda pakos emergjente”, shprehet Krasniqi.

Mësohet se deri tash vetëm 50 për qind e pakos emergjente fiskale është zbatuar, derisa ende nuk ka nisë së implementuari pakoja për rimëkëmbje ekonomie.