Moti gjatë kësaj jave

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se gjatë pesë ditëve të kësaj jave do të ketë ndryshim të situatës meteorologjike.

Sipas institutit, fushat me presion të lartë që ishin ditëve të fundit, po i ndryshojnë vlerat e tyre, duke krijuar situatë me kushte tjera meteorologjike, erëra, reshje shiu, bore dhe ulje në fushat termike.

“Të hënën, në pjesën e parë të ditës vlerat termike mbesin të larta, mirëpo gjatë ditës kjo situatë do të ndryshoj, sepse do të krijohen vranësirat e dendura dhe jostabile, të cilat në pjesën e dytë të ditës do të shoqërohen me reshje shiu, ndërsa me uljen e temperaturave gjatë natës, reshjet e shiut do të kalojnë në formë dëbore. Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -3 deri 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet parashihen të arrijnë deri 15 gradë (vetëm ditën e hënë), ndërsa nga e marta maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-9 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugu dhe më pas nga pasditja e së hënës e tutje, era do ta ndërroj kahun, në drejtim të veriut dhe verilindjes shpejtësia e së cilës mundë të arrijë deri 18m/s”, thuhet në njoftimin e IHK-së.