Moti sonte, nesër dhe ditëve në vazhdim

0
95

Gjatë natës pritet depërtimi i frontit të fuqishëm të ftohtë ajror duke kushtëzuar reshje të dendura bore në shumë pjesë të Kosovës.

Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot i ndryshueshëm. Në mëngjes dhe paradite vende-vende me reshje bore, kurse pasdite reshjet pritet të pushojnë për të pasuar edhe intervalet kohore me diell, por temperaturat shënojnë ulje të ndjeshme sidomos në mbrëmje.

Në Shqipëri sonte me reshje lokale shiu, ndërsa në veri dhe lindje reshje lokale bore. Nesër kryesisht vranët dhe me reshje bore të cilat nga verilindja pritet të shtrihen drejt juglindjes. Në viset tjera me reshje shiu. Reshje afatshkurtra bore mund të ketë në veriperëndim të vendit dhe ndoshta në disa vise edhe në qendër të vendit. Pasdite ose në mbrëmje reshjet pushojnë në tërë vendit me përjashtim të juglindjes ku ende priten fjolla bore.

Reshje bore nesër paradite priten edhe në Maqedoninë Veriore, pak më intensive në perëndim të vendit. Reshje intensive bore gjatë natës sonte priten në veri të Malit të Zi dhe më pak intensive në Luginën e Preshevës.

Ditëve të ardhshme do të vazhdojë ulja e temperaturave, por gjatë ditës priten edhe intervale kohore me diell. Në Kosovë herë pas here priten reshje bore. Fjolla bore (të shtunën pasdite) nganjëherë mund të paraqiten edhe në disa vise bregdetare të Shqipërisë si në jug dhe perëndim të vendit./MeteoBallkan