Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sonte gjatë natës në Kosovë kishte acar të fortë ku temperaturat u ulen nga -7 deri në -15 gradë Celsius, lokalisht në disa vise malore ishte edhe më ftohtë.

Në Kosovë do të mbajë mot kryesisht stabil. Mëngjesi do të jetë shumë i ftohtë, ndërsa dita me intervale të gjata kohore me diell dhe ndonjë vranësirë kalimtare.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi pritet të mbajë mot kryesisht stabil, me alternime mes vranësirave dhe intervaleve kohore me diell. Nata dhe mëngjesi do të jenë mjaft të ftohta dhe me acar.

Nga e mërkura do të fillojë zbutja e acarit në tërë rajonin tonë, njëkohësisht do të ketë edhe shtim gradual të vranësirave. Erërat do të ndryshojnë drejtim dhe do të fillojnë të fryjnë nga jugu dhe jugperëndimi.

Nga e enjta dhe e premta në Shqipëri dhe Dukagjin priten edhe reshje lokale shiu, ndërsa për fundjave reshjet e shiut pritet të zgjerohen në tërë rajonin. Temperaturat do të shënojnë ngritje të ndjeshme. Reshje bore vetëm nëpër male. Fronte të reja të ftohta polare mund të kemi krejt në fundjavë ose në fillim të javës së re./Meteoballkan