Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të kemi mot të ndryshueshëm dhe të nxehtë. Paradite kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë. Pasdite priten zhvillime të vranësirave konvektive të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Më se paku reshje ose hiç fare priten në disa rajone të Dukagjinit dhe Drenicës.

Në Shqipëri sot do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë . Pasdite vetëm në disa rajone kryesisht kodrinore-malore në veri dhe lindje mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Mot mjaft i nxehtë dhe me diell pritet sot edhe pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. pasdite vende -vende do të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të shtunën në Kosovë pritet mot mjaft i ndryshueshëm. Paradite përsëri do të jetë shumë nxehtë dhe me diell, kurse pasdite priten zhvillime të fuqishme të vranësirave të cilat mund të kushtëzojnë rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Vende-vende mund të ketë rrebeshe mjaft intensive shiu të cilat mund të shkaktojnë vërshime të shpejta afatshkurtra. Përsëri sipas modeleve më së paku reshje priten në disa rajone të Dukagjinit. Ndonjë rajon mund të mos përfitojë fare reshje.

Edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi të shtunën pritet mot i ndryshueshëm. Në bregdet do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta, kurse në viset kontinetale të vendit priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Mot jo stabil dhe shumë i nxehtë pritet edhe në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi, por pasdite priten zhvillime të fuqishme vranësirash të cilat do të kushtëzojnë freskim të motit dhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të dielën pak më freskët, me intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat në disa rajone mund të sjellin riga apo rrebeshe lokale shiu.

Nga e hëna përmirësim i motit dhe ngritje e sërishme e temperaturave./Meteoballkan