Moti sot dhe ditëve në vazhdim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi

Dita e Bajramit në Kosovë do të na sjellë mot mjaft të ndryshueshëm, ku mëngjesi dhe paraditja do të jenë të nxehta dhe stabile, kurse pasditja na sjellë vranësira të dendura, ulje të temperaturave, erëra dhe reshje shiu. Në Dukagjin mund të ketë edhe ndonjë rrebesh shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Në territorin e Shqipërisë sot moti do të jetë më i këndshëm se në Kosovë dhe pjesë tjera të rajonit, me përjashtim të veriut-lindjes të vendit ku mund të ketë reshje shiu, ose ndonjë rrebesh me vetëtima dhe bubullimë. Rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë nesër pasdite do të ketë edhe në pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut.

Nesër në tërë rajonin tonë pritet të mbajë mot kryesisht stabil, por me vranësira dhe intervale kohore me diell.

Nga e marta pothuajse çdo pasdite në tërë rajonin priten zhvillime të vranësirave të cilat do të sjellin reshje shiu si dhe rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë. Në ndonjë rajon mund të ketë edhe rrebeshe intensive dhe breshër./Meteoballkan