MSH dënon dhunën ndaj mjekëve

0
251

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon dhunën ndaj mjekes specializante V.Z në klinikën e parë të kirurgjisë në QSUT dhe mjekut Z.D, i cili u dhunua fizikisht mesditën e sotme në ambientet e spitalit rajonal Lezhë.

Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke e denoncuar këtë akt, “kërkon nga organet e drejtësisë të reagojnë menjëherë me dënimin e merituar për agresorët e mjekut dhe kërkon sensibilizimin dhe mbështetjen e shoqërisë për bluzat e bardha në krye të detyrës, në shërbim të popullatës”.

Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshimet në kodin penal për të vendosur ekskluzivisht goditjen dhe kanosjen për shkak të detyrës si vepër penale, paralelisht me vendosjen e një regjimi të ri në spitale, për disiplinimin e vizitave të familjarëve dhe riorganizimin e sigurisë në spitale.

“Personeli shëndetësor është në shërbim të qytetarëve ditë dhe natë, për të ofruar dhe garantuar në kohë dhe me cilësi shërbimet shëndetësore. Kujdesi shëndetësor që duam duhet të ketë në themel frymën e besimit, ofrimin e kujdesit të pakushtëzuar, pavarësisht statusit social të atij që ka nevojë, por njëherësh, edhe respektin ndaj figurës së mjekut dhe infermierit. Ne do të punojmë fort, por na duhet ndihma e gjithsecilit prej jush, për t’a rikthyer këtë raport, të thyer keqazi ndër vite”,- thuhet në reagimin e MSH./BalkanWeb