Murati: Asnjë kushtëzim ndërkombëtar pa vullnet të brendshëm politik nuk mund të kryej punë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Conell, ka deklaruar gjatë ditës së sotme se Bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranojë dështimet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi ky është momenti i fundit që vendi të shënojë rezultate në luftimin e krimeve të rënda, në mënyrë që  Kosova të mos humbasë mbështetjen ndërkombëtare.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në një prononcim për Gazetën inFokus, e ka komentuar deklaratën e ambasadorit britanik. Kështu sipas tij, si asnjëherë më parë opinioni publik, shoqëria civile, mediat, por edhe partitë politike opozitare nuk kanë qenë më pak të përqendruara në vëzhgimin e kontrollimin e veprimeve qeveritare si dhe të institucioneve të tjera publike, përfshirë institucioneve të sistemit të drejtësisë.

“Dhe kjo ka një arsye, e tërë vëmendja është përqendruar në ato që quhen temat e mëdha, përkatësisht në temën e dialogut, kufijve e tani së voni edhe në atë të taksës vendosur për prodhimet serbe. Një situatë e tillë është parajsë për mos transparencë të institucioneve, nepotizëm, korrupsion e krim të organizuar”, ka deklaruar ai.

Andaj, për Muratin është vërtetë e domosdoshme që sa më herët të mbyllen temat e mëdha, si parakusht për t’iu kthyer jetës së përditshme, cilësisë së qeverisjes, zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, sundimit të ligjit e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Sa i përket përkrahjes së ndërkombëtarëve në raport me sundimin e ligjit e luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ne do të duhej ta kuptojmë se në radhë të parë këto standarde janë të nevojshme për rritjen e cilësisë së jetës sonë dhe të mirëqenies sonë. Asnjë kushtëzim ndërkombëtar pa vullnet të brendshëm politik dhe presion qytetar e publik nuk mund të kryej punë”, ka përfunduar ai.