Murati i VV’së: Ka ende shpresë për marrëveshje me LDK’në

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati u shpreh optimist në lidhje me marrëveshjen e koalicionit, duke thënë se kanë ende edhe 15 ditë, të cilat do t’i shfrytëzojnë për të shterur mundësitë që të bëjnë marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Murati, thotë se LVV-ja, ka vullnet për të bërë marrëveshje me LDK-në, dhe se këtë vullnet e kanë dëshmuar, në momentin që i kanë bërë ofertë LDK-së, që të jenë bartës të listës në zgjedhjet e 6 tetorit, e cila ofertë u refuzua nga kjo e fundit.

“Mundësitë nuk janë shterë, vet fakti që është edhe ky 15-ditëshi, tregon që mundësitë nuk janë shterrur. I kemi edhe 15 ditë që të arrijmë marrëveshje. Vullneti prej Lëvizjes Vetëvendosje ekziston për me pas një marrëveshje, ky vullnet ka ekzistu që prej fillimit të bashkëpunimit në opozitë, bashkë me LDK-në kur kemi qenë në opozitë, madje ku vullnet është dëshmu edhe ne negociatat për koalicion parazgjedhor që kemi pas me LDK-në, nëse ju kujtohet ka pasur oferta gjeneroze atëherë. Madje oferta përfundimtare, pak para se me u dorëzu listat në KQZ, ka qenë që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës. Si kandidat, e Albin Kurti numër dy, edhe atëherë u refuzu kjo ofertë”, u shpreh Murati në Debat Plus në RTV Dukagjini.

Sipas Muratit, të dy partitë edhe LVV-ja, edhe LDK-ja kanë dalur në fushatë me të njëjtin premtim, për ta dërguar PAN-in në opozitë, gjë që kjo tregon se ka ende shpresë për koalicion.

“Tash me e pyet elektoratin e LDK-së a e kishi pranu në retrospektivë, këtë ofertë, ndoshta e kishin pranu nëse i kishin ditë qysh ka me dal rezultati. Por, ja që kjo ofertë ka skadu, të gjitha ofertat po iu imponohet një afat skandence qoftë Kushtetues, qoftë prej KQZ-së. Edhe pasi dul rezultati, VV-ja e para ndërsa LDK-ja e dyta. Le të kujtojmë që dy partitë gjatë fushatës kanë garu me premtimin se do ta dërgojnë PAN-in në opozitë dhe vetëm LVV-ja dhe LDK-ja do të jenë partnerë të koalicionit. Tash, pas zgjedhjeve LVV-ja vazhdon me insistu që me pas marrëveshje, por e kemi edhe alternativën tjetër me mbet në opozitë, por që opozita nuk ka qenë e përmendur gjatë fushatës, kështu që ka shpresë marrëveshje”, tha Murati në RTV Dukagjini.