Murati: Jemi afër koalicionit me PDK-në, ose Nismën, nuk heqim dorë nga “ridefinimi i kufijve”

0
299

Lëvizja për Bashkim është e përgatitur që të hyjë e vetme në zgjedhje të parakohshme që pritet të mbahen më 6 tetor. Por është edhe në bisedime me disa parti që të hyjë në koalicion parazgjedhor.

Kryetari i kësaj partie, Valon Murati në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se tashmë kanë zhvilluar disa takime me partitë që ata mendojnë se kanë program të përafërt për të bashkëpunuar.

“Realisht ne kemi shikuar mundësit që të kemi bashkëpunim programor me disa prej çështjeve me parti të tjera. Duke qenë se ne prezantojmë një koncept në skenën politike të veçantë, deri tash nuk është qe kemi gjetur shumë përafri me subjektet tjera. Megjithatë ne po shikojmë mundësit që bashkërisht me ndonjë subjekt tjetër nëse gjejmë modalitete të bashkëpunimit të marrim pjesë në zgjedhje”, thotë ai. Thotë se ofertat e PDK-së dhe Nismës Socialdemokrate janë më serioze, duke mospërjashtuar bashkëpunimin me njërën prej tyre.

“Deri tani kemi pasur takime me Partin Demokratike të Kosovës. Me Nismën Socialdemokrate ka pas më herët takime të them joformale edhe me Partinë Socialdemokrate të Kosovës. Por konsiderojë që realisht ta them takimet, përpjekjet për momentin më serioze janë me PDK-në dhe Nismën”, thotë ai.

Ai thotë se një nga arsyet pse kjo parti ekziston është edhe ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe se këtë angazhim nuk do ta ndalin as në të ardhmen.

“Prioritet i Lëvizjes, domethënë pika programore e LB-së është bashkimi kombëtar, bashkimi i Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë. Sigurisht ai shkon përmes një procesi që ne e kemi thënë se është një marrëveshje që duhet me Serbinë dhe të ridefinimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne prezantojmë këtë koncept tash e 10 vjet dhe në këtë drejtim kjo është arsyeja realisht e ekzistencës tonë në skenën politike”, thotë ai.

Pavarësisht se PDK-ja por edhe Nisma Socialdemokrate e kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, Murati thotë se do të këmbëngulin në këtë ide, duke kërkuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Ne kemi pjesë të platformës politike ridefinimin e kufijve duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve në Kosovën lindore dhe në tri komunat veriore. Mendoj që nuk ka, për mendimin tim pa marrë parasysh rezistencën që i bëhet kësaj ideje edhe refuzimit publik që i bëhet kësaj ideje dhe keqkuptimit të kësaj ideje nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë përveç ridefinimit të kufijve dhe rrjedhimisht bashkimi të pjesës shqiptare të Kosovës Lindore me Kosovën”, thotë ai.