Murati: Konstatimet se Escobar ka qëndrime të ndryshme nga Uashingtoni, injorancë e thellë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, deklaroi të enjten se ambasadorët dhe emisarët special diplomatik përçojnë qëndrimet zyrtare të Uashingtonit e nuk i krijojnë ato.

Sipas tij, të konstatohet se ambasadorët apo emisarët diplomatik kanë qëndrime të ndryshme nga Uashingtoni zyrtar është injorancë e thellë.

Ai tutje ka thënë se konstatime të tilla po dëgjohen këto ditë me qëndrimet e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.

“Qëndrimet politike amerikane mund të na pëlqejnë apo jo. Për më tepër këto qëndrime nuk hartohen nga ambasadorët apo emisarët special. Ata mund të ndihmojnë në hartimin e tyre, por mbi të gjitha ata i përçojnë ato. Sigurisht ngjyra dhe toni sesi ato plasohen mund të dallojnë nga një personalitet tek tjetri”.

“Por, konstatime të tilla se ambasadorët apo emisarët diplomatik kanë qëndrime të ndryshme nga Uashingtoni zyrtar, mund ta dëgjohen këto vitet e fundit me të madhe në kuluaret politike dhe mediatike të Prishtinës dhe Tiranës. Njëjtë po ndodh këto ditë me qëndrimet e Gabriel Escobarit. Kjo në rastin më të mirë është injorancë e thellë”, ka shkruar Murati në Facebook.

E në rastin më të keq, sidomos kur vjen nga politikanë e analistë, Murati ka thënë se është manipulim i pastër me opinionin publik.

“Nga kjo e fundit mund të fitojnë në planin afatshkurtër politikan të caktuar, po nuk fiton Kosova. Të vërtetën duhet ta shohim drejt në sy dhe të ballafaqohemi me të, e jo t’i iket asaj duke manipuluar me opinionin”, ka përfunduar ai.