Murati nga Lëvizja për Bashkim: Do të përpiqemi të jemi zëri i juaj

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka njoftuar qytetarët se në zgjedhjet e 6 tetorit do të garojnë me tre kandidatë e në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, shkruan fokusi.info.

Përmes një statusi në facebook, Valon Murati ka thëne se ai së bashku me dy kandidatët tjerë Aurora Bakalli dhe Raif Qela, do të jenë zëri i qeverisjes së mirë e mundësive të barabarta për të gjitha shtresat e shoqërisë.

Tutje Murati ka shtuar se do të jenë edhe zëri i shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe përpjekjes për bashkim me Kosovën si një e drejtë e patjetërsueshme e shqiptarëve që jetojnë atje.

Statusi i plotë

Të dashur qytetarë, miq e familjarë,

Lëvizja për Bashkim në zgjedhjet e 6 tetorit do të garojë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe do të ketë tre kandidatë në listën e saj. Me numër 5 do të jam unë, Valon Murati, me numër 39 Aurora Bakalli dhe me numër 46 Raif Qela.

Unë si kandidat dhe kryetar i LB-së dhe kandidatët e tjerë të LB-së do të përpiqemi të jemi zëri i juaj, zëri i qeverisjes së mirë, mundësive të barabarta për të gjitha shtresat shoqërore, zhvillimit ekonomik, përparimit të arsimit e kujdesit të shtuar për shëndetësinë, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Unë dhe kolegët e mi do të jemi zëri edhe i Kosovës Lindore dhe përpjekjes për bashkim me Kosovën si një e drejtë e patjetërsueshme e shqiptarëve që jetojnë në Kosovën Lindore.

Përkushtimi ynë i deritanishëm, qoftë në parlament, qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë, janë dëshmia më e mirë se ne do të vazhdojmë të mbrojmë vlerat dhe synimet tona për të cilat jemi të pa kompromis, mbrojtja e interesit publik dhe qeverisja e mirë.

Na priftë e mbara dhe ditë të bukura e pritshin vendin tonë të dashur!