Murati njofton se kur do t’i pranojnë paratë përfituesit e 100 eurove

0
265

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murat, ka njoftuar se mjetet e ndara për punëtorët e sektorit privat do të bëhet këtë javë ndërsa për studentët aplikimi është ende i hapur.

Qeveria e Kosovës sot ka ndarë 35 milionë euro buxhet, të cilat do të mundësojnë pagesën e mbështetjes së njëhershme prej 100 euro për të punësuarit e sektorit privat dhe studentët.

Për të punësuarit, periudha e aplikimit ka përfunduar javën që shkoi, dhe komisioni deri më tani ka validuar shumicën e përfituesve që plotësojnë kriteret, ka bërë të ditur ministri Murati.

Ai ka shtuar se tani kanë mbetur të përfundohen vetëm procedurat e nevojshme për ekzekutimin e pagesave, dhe përfituesit që janë validuar do t’i pranojnë paratë në llogaritë e tyre këtë javë.

“Për studentët ndërkaq, aplikimi është ende i hapur, dhe sapo të përmbyllet ky hap do të procedohet pagesa edhe për ta”, ka shkruar Murati në një postim në Facebook.