Murati: Nuk është e largët dita kur gjysma e qeverisë në Tiranë do të përbëhet nga kosovarët

0
37

Lidhur me mosdekretimin e Gent Cakajt për Ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ka reaguar edhe Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim. 

Ai përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka deklaruar se mosdekretimi i Gent Cakajt për Ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, është produkt i betejës së brendshme politike në Tiranë.

Ja statusi i plotë i Muratit:

“Mosdekretimi i Gent Cakajt për Ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, është produkt i betejës së brendshme politike në Tiranë. I pështirë ekzaltimi meskin i disave në Prishtinë për këtë mosdekretim. Ndërsa sa i përket ridefinimit të kufijve me Serbinë, ai është një proces i cili drejtpërdrejt i takon Kosovës dhe qytetarëve të saj. Tirana zyrtare duhet t’i qëndrojë përkrah Prishtinës ashtu siç tradicionalisht ka bërë çdoherë dhe rrjedhimisht ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë nuk mund të jetë bartës i këtij procesi. Në anën tjetër po vazhdojë me u habit tashmë që disa muaj se si në Kosovë ka njerëz që më shumë e duan Leposaviqin se Preshevën. E sa për provincialistët e Bllokut në Tiranë dhe provincialistët kosovarista që iu gëzuan mosdekretimit të Gent Cakajt, ekzaltimin nuk do ta kenë të gjatë. Nuk do të jetë e largët dita kur gjysma e qeverisë në Tiranë do të përbëhet nga kosovarët”.