Murati: Pozita dhe opozita janë fajtorë për mbetjen pezull të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim z.Valon Murati, përmes një statusi në facebook, ka fajësuar pozitën dhe opozitën rreth mbetjes pezull të marrëveshjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Statusi i plotë:

Sa i përket marrëdhënieve në mes të shteteve dhe zbutjes së mosmarrëveshjeve në mes të tyre e në veçanti për çështjet që kanë të bëjnë me kontestet kufitare Komisioni Evropian (në raportin e tij për zgjerim në Ballkanin Perëndimor) rekomandon: “Aty ku kontestet kufitare nuk janë zgjidhur në mënyrë bilaterale, palët duhet t’i parashtrojnë ato pa kushte në një arbitrazh ndërkombëtar përfundimtar dhe të detyrueshëm, vendimet e të cilit duhet të zbatohen tërësisht dhe të respektohen nga të dyja palët para anëtarësimit dhe të merren parasysh në Traktatet e Anëtarësimit”.

Marrëveshja e demarkimit me Malin e Zi po vazhdon të na mbetet si një gur i rëndë i papërballueshëm për politikën tonë tash e më shumë se 2 vjet me fajin e pozitës dhe opozitës. Njëra palë e ka udhëhequr këtë proces me mungesë të plotë transparence, e tjetra duke përdorur dhunë e duke refuzuar që kjo marrëveshje të dërgohej e të rrëzohej në kuvend.

Deputetët dhe politika jonë sot, guximshëm, duhet t’i jap rrugë kësaj pune, ose ta miratojë ose ta rrëzojë dhe të krijojë kushtet për hapjen e mundësive të tjera. LB-ja ka dy vjet që ka rekomanduar që demarkacioni të rrëzohet në Kuvend dhe të krijohen kështu kushtet për një kontest real juridik me Malin e Zi e cili do të dërgohej pastaj në një arbitrazh ndërkombëtar.

Kjo që ka thënë Komisioni Evropian në raportin e tij për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, dëshmon se edhe për rrethanat aktuale në Kosovë kjo është zgjidhja më e mirë. Ama duhet pasur guxim për një vendim!