Murati: Vetëm SHBA-të mund të garantojnë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë

Kryetari Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati në RTK3 deklaroi se aksioni i djeshëm në veri të Kosovës jo vetëm që ishte ligjor dhe legjitim në luftë kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, por edhe ishte i domosdoshëm për funksionimin normal të shtetit në krejt territorin e vet, përcjell Fokusi.info.

“Natyrisht, të gjithë e dimë se Kosova ka probleme të natyrës politike në veri, por kjo nuk do të thotë assesi që për shkak të këtyre problemeve të heqim dorë deri në zgjidhjen politike nga funksionimi i shtetit”, ka thënë Murati për RTK3.

“Reagimet e disave këtu tek ne e veçanërisht reagimet e Serbisë në këtë rast ishin qesharake, të cilat shkuan deri në kërcënim me luftë me pretekstin që institucionet e Kosovës kanë ndërhy në veri gjoja me qëllimin për t’i ndjekur serbët ose për të vendosur masa të dhunshme në 4 komunat veriore, siç për shembull Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq”, ka vazhduar Kryetari i Lëvizjes për Bashkim.

Ndërsa sa i përket procesit politik, Valon Muarti deklaroi se ” jo vetëm që SHBA-të duhet të përfshihen në bisedimet Kosovë-Serbi, por, për shkat të fuqisë politike, ekonomike, diplomatike e ushtaraka, SHBA-të duhet ta kenë rolin kyq në këtë problematikë, sepse, në fund të fundit, vetëm SHBA-të mund të garantojnë një zbatim të plotë të një marrëveshjeje të mundshme”. /Fokusi.info/

 

Lini një Përgjigje